Akademia e Shqipërisë e gatshme për ndihmë
Akademia e Shkencës së Shqipërisë është e gatshme të ndihmojë për pasqyrimin e të vërtetës për shqiptarët në enciklopedinë e Maqedonisë, gjatë riformulimit.
Këtë e ka bërë të ditur, gjatë një debati për enciklopedinë në Shkup, akademiku shqiptarë, Kolec Topalli. “Zërat e shqiptarëve duhet të shkruhen nga vetë shqiptarët. Në Maqedoni ka njerëz të përgatitur për këtë. Por nëse ka nevojë edhe Akademia e Tiranës është në gjendje të ndihmojë me qëllim që kjo enciklopedi të pasqyrojë të vërtetën shkencore dhe historike për shqiptarët”, tha Topalli.
Pjesëmarrësit në debat me fakte hodhën poshtë të pavërtetat e akademikëve maqedonas për shqiptarët, kurse paralajmërimet për korrigjimin e enciklopedisë në botimin e dytë e cilësuan, jo korrekt. Kërkuan të korrigjohet edhe botimi i parë. “Pavarësisht në ç’numër tirazhi është tirazhi i parë, ka një ngarkesë që është intolerante. Akademia duhet të gjej fuqi të distancohet nga ky botim i parë dhe botimi i parë duhet të jetë ai i përmirësuari”, tha akademik, Ali Aliu.
Vllado Popovski -historian dhe jurist tha se është me shumë rëndësi që të korrigjohet tirazhi i vjetër dhe të rishkruhet në mënyrë profesionale pjesa ku flitet për shqiptarët, ku do të merrnin pjesë edhe intelektual shqiptarë. Të enjten, kundër enciklopedisë maqedonase ka dalë edhe Ambasada e Bullgarisë në Shkup. ” Jemi të shqetësuar nga e ashtuquajtura ‘enciklopedi maqedonase’ pasi duke pretenduar të jetë shkencor, botimi i nënshtrohet dhe ndjek qëllimet e një propagande politike afat-shkurtër”, thuhet në reagimin e ambasadës bullgare.
Ndërkohë, partia Bashkimi Demokratik Kombëtarë, paralajmëroi protesta për javën e ardhshme me ç’rast do të kërkohet tërheqja e enciklopedisë. Ndërkaq, qindra protestues të enjten u mblodhën në sheshin e Kërçovës ku protestuan kundër Enciklopedisë Maqedonase. Protestuesit në dorë mban parrudha ” Ujku qimen e ndërron, por zanatin se harron”, Të kërkohet falje publikë”, “Tërheqje jo korrigjim të enciklopedisë” etj. dhe brohoritnin UUUUU MANU Blazhe Lazhe gënjeshtar” etj.



Shtoni komentin tuaj!