“Australia Open”, gjoba tenisteve me veshje seksi
Debat në tenis. Kjo për shkak se veshjet seksi të tenisteve nuk do të tolerohen më.
Që prej edicionit të ardhshëm të “Australian Open”, i cili starton të hënën, sportistet që do të paraqiten me kostume “të papranueshme” do të gjobiten: sipas rregullit të vendosur, gjoba më e lartë është 2000 dollarë australianë (afro 1000 euro). Tenisi ka qenë prej kohësh në shënjestër: polemikat kanë lindur jo vetëm për veshjen (ku sportistet të krijonin idenë se merrnin pjesë në sfilata mode), por edhe për klithmat “sensuale” në momentin e gjuajtjes së topit. Gjithsesi, në marrjen e masave për etikë sportive ka ndikuar episodi më i fundit, ku protagoniste ishte Alis Kornet. Në turneun “Hopman Cup”, 19-vjeçarja franceze u prezantua me një minifund që nuk i linte aspak vend fantazisë dhe bluzë të tejdukshme. Gjatë ndeshjes, mund të dallohej praktikisht çdo pjesë intime e saja. “Kjo është e papranueshme”, deklaroi Margaret Kurta për “Herald Sun”. Tenistja australiane, një prej atleteve më të mëdha të të gjitha kohërave (ku në karrierë ka fituar tri herë “Uimbëlldonin” dhe 62 trofe), është pozicionuar kundër kolegeve më të reja në moshë: “Duket njësoj sikur zbresin në fushat e tenisit si në plazh. Ky nuk është vendi i përshtatshëm për të treguar hiret. Nëse je e aftë, nuk është e nevojshme të paraqitesh me kostume seksi”. Drejtuesit e “Australian Open” vendosën kufizime: për veshjet që cilësohen shumë seksi, sportistet do të gjobiten me 1000 euro. Përpara fillimit të lojës, kostumet do të vlerësohen nga një komision i posaçëm.



Shtoni komentin tuaj!