Ekspertët: Shteti nuk investon në vendbanimet shqiptare
Rajoni i Pollogut dhe sidomos ai i Maqedonisë verilindore marrin më së paku fonde për zhvillim nga buxheti i Maqedonisë.
Në këtë ndarje të pabarabartë të fondeve buxhetore në krahasim me pjesët tjera të vendit dhe sidomos me qytetin e Shkupit, ekspertët shqiptarë vërejnë tendencë të qëllimshme diskriminuese.
“Është absurde qytetarët të gjithë të ngarkohen me tatime për ta alimentuar buxhetin, kurse të dalurat, rang lista dhe prioritetet janë të gjithë që të favorizojnë arsimin, kulturën, politikën sociale të e vetëm një etniteti, atij maqedonas”, deklaroi Xhevdet Hajredini, ish-ministër i Financave.
“Një pjesë e madhe e investimeve kapitale siç janë investimet në kulturë, në objekte fetare, investimet në ndërtimin e sallave të infrastrukturës kulturore, të infrastrukturës fizike, të gjitha këto investime në pjesën tjetër të Maqedonisë, përveç pjesës veriperëndimore të vendit, ku dominon etniteti shqiptar,dhe nëse e shihni këtë morfologji fiskale ajo është e identifikueshme, që është nënçmuese në përpjestim edhe në strukturë dhe tani më kjo nuk është e rastësishme, por kjo është një proces struktural dhe endogjen që rezulton një shpërndarje kaq të pabarabartë të resurseve fiskale në të cilën marrin pjesë, të gjithë qytetarët në krijimin e tyre”, theksoi Abdulmenaf Bexheti, ekspert i ekonomisë.
Nga bruto prodhimi i brendshëm për Shkupin ndahen 165 euro për kokë banori, për atë të Pollogut apo Likovës ndahen vetëm 50 euro. Edhe ish ministri i Financave Boris Stojmenov thotë se zhvillimi i barabartë rajonal duhet të jetë prioritet i qeverisë.
“Maqedonia ka problem me zhvillimin e barabartë rajonal, dhe nëse e keni parasysh se 44 për qind e ekonomisë së Maqedonisë është në Shkup, atëherë kjo tregon gjithçka, kështu që në këtë aspekt ne e kemi patjetër ta vendosim si prioritet çështjen e zhvillimit të barabartë rajonal, dhe me këtë edhe ndarjen e barabartë edhe të ngarkesës por edhe të beneficioneve buxhetore”, nënvizoi Boris Stojmenov, ish-ministër i Financave.
Për të zbutur sa do pak dallimet e mëdha në zhvillim mes rajoneve në Maqedoni ekspertët sugjerojnë që të filloj zbatimi i ligjit për zhvillim të barabartë rajonal i miratuar në vitin 2007, me të cilin janë paraparë fonde për zhvillim dhe formimi i Qendrave rajonale që do të menaxhojnë më këto fonde.



Shtoni komentin tuaj!