MORANDI mban koncert në njëvjetorin e pavarësisë
Rreth 3 mijë adhurues të muzikës përcollën koncertin e shumëpritur të Morandi-t. Ndonëse Rumania ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, madje është një kundërshtare e fortë, organizatorët kishin zgjedhur një grup rumun për të mbajtur koncert në njëvjetorin e bërjes së Kosovës shtet. Koncerti i dyshes zuri vend mbrëmë në kryeqytet. Performances së grupit fillimisht i ka paraprirë interpretimi i disa artistëve vendës, si: DJ Blunt, Real 1, Lyrical Son, Kaos, NRG Band dhe DJ DaLool. Dhe rreth orës 24:00,
dyshja rumune u ngjit në skenë, në të cilën ishin të vendosur Flamuri i Kosovës dhe ai Kombëtar. Me të dal në skenë, Moga, njëri nga anëtarët e grupit, në shqip uroj njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Një urim të këtillë dyshja e ka dhënë edhe disa herë të tjera gjatë koncertit, duke bartur edhe mesazhin e tyre “Paqe për Kosovën”. Madje artistët kanë shtuar se përkundër faktit që vijnë nga një shtet si Rumania, që ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, ata nuk e përfaqësojnë politikën e vendit prej nga vijnë. Rreth një orë e gjysmë “live” Morandi ka argëtuar publikun kosovar, që kishte ardhur për ta përcjellë koncertin. Grupi ka qenë i shoqëruar nga instrumentistët dhe dy valltare nga Rumania. Randi dhe Moga kanë interpretuar këngë të ndryshme nga repertori i tyre, madje edhe disa këngë të reja të cilat do të përfshihen në albumin e ri të grupit, që do të nxirret në shitje brenda disa muajsh. Atmosfera është ndezur në momentin kur grupi interpretoi hitet, si: “Save me”, “Love me” e “Angels”. Madje, këtë të fundit grupi e ka interpretuar dy herë. Përpara koncertit, “Express Live” pati rastin të realizojë një intervistë ekskluzive me dy anëtarët e Morandit, Mogën dhe Randin. Në këtë intervistë ata folën për përshtypjet e tyre për njerëzit në Kosovë, por duke mos anashkaluar as politikën, marrë parasysh se shteti nga ata vijnë, Rumania, nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, për më tepër që është një kundërshtare e fortë e shtetësisë së Kosovës. I pyetur se a ka informacione se çfarë rëndësie ka 17 Shkurti për Kosovën, Moga shkurt u përgjigj: “Kemi dëgjuar çdo gjë, më beso”. Ndërsa, të pyetur se si e kanë pritur ftesën për të ardhur në Kosovë, Randi tha: “Ne nuk zgjedhim koncertin ku vijmë, ju dhe organizatorët jeni ata që zgjidhni”. Duke qëndruar pas saj që pohonin vazhdimisht se nuk janë politikanë, Moga shtoi: “Ne kemi vetëm një dëshirë për sonte, e ajo është që secili që do të vijë në koncert ta kuptojë se nuk është ndonjë mesazh nga Qeveria e Rumanisë, apo ndonjë mesazh me ngjyra, mesazhi ynë i saktë dhe shumë i qartë është që të ndihemi të lirë, të bëjmë atë që duam në jetë, të ndihemi të lumtur. Ky është mesazhi i vetëm që kemi sjell. Ne nuk jemi këtu se jemi nga Rumania, porse e duam muzikën. Dhe çdo kush që e do muzikën le të vijë, sepse ne prezantojmë paqe në këtë koncert”. Ndërsa pas përfundimit të koncertit, për “Express Live”, Moga, ka thënë se është ndarë i kënaqur me mikpritjen e publikut, duke shprehur dëshirën e tij që të vijë sërish në Kosovë. Kjo ishte hera e parë që grupi i njohur Morandi mbajti koncert në Kosovë. Ardhja e tyre u mundësua nga “Didi Grup”. Edhe organizatorët janë shprehur të kënaqur me mbarëvajtjen e koncertit. Megjithëkëtë, nuk e kanë fshehur se kanë pritur më shumë publik në sallë. Sipas tyre, mbrëmë janë shitur rreth 3 mijë bileta, nga gjithsej 5 mijë sa kanë qenë në dispozicion. Vokalisti i grupit NRG Band, Besnik Qaka, koncertin e Morandit e ka quajtur “interesant”. Në anën tjetër, këngëtarja Dafina Zeqiri, e cila po ashtu ishte e pranishme në këtë koncert, ka treguar se është adhuruese e Morandit. Moga dhe Randi janë kthyer në Rumani gjatë pasdites së sotme.



Shtoni komentin tuaj!