Përdoruesit e Microsoft, sulm nga kriminelët kibernetikë
BOSTON – Microsoft njoftoi se kriminelët kibernetikë kishin sulmuar përdoruesit e programit të saj Office për kompjuterët personalë Windows, duke shfrytëzuar një të metë programimi që gjigandi i programeve kompjuterike nuk e ka riparuar ende.
Prodhuesi më i madh në botë i programeve kompjuterike e botoi njoftimin të martën pasi lëshoi arnime të adresuara nëntë vrimave të sigurisë në programin e tij.
“Pavarësisht riparimeve të sotme, përdoruesit e Windows vazhdojnë të jenë nën sulm. Microsoft po bën dy hapa përpara, ndërsa sulmuesit po e sprapsin atë një hap pas”, tha Dave Marcus, drejtuesi i kërkimeve të sigurisë në Laboratorët e Shmangies McAfee Inc.
Piratët kompjuterikë minojnë faqet e internetit me kode të dëmshme që ngarkohen në kompjuterët që ekzekutojnë programin e cenueshëm Office. Kompjuterët e infektuar mobilizohen në një “botnet”, një rrjet kompjuterësh i rrëmbyer. Ata përdoren për vjedhje identiteti, mesazhe reklamimi dhe krime kibernetike të tjera.
Microsoft nuk tha sa kompjuterë ishin sulmuar. Ai vlerëson se rreth 500 milionë njerëz përdorin paketën e tij Office, e cila përfshin programet Word, Excel dhe PowerPoint.
Prodhuesi i programeve tha në një buletin sigurie se ai kishte zhvilluar një zgjidhje të përkohshme për problemin, të cilën përdoruesit duhet ta instalojnë jo automatikisht në kompjuterë për t’i mbrojtur ata nga sulmi.
Një zëdhënëse e kompanisë tha se programi do të ishte së shpejti i mundshëm nëpërmjet faqes së internetit të Microsoft. Office XP, 2003 dhe 2007 janë të prekshëm ndaj sulmeve.



Shtoni komentin tuaj!