Porto befason Unajtedin, Arsenal barazon
Porto ka befasuar Manchester Unitedin midis Old Trafordit duke luajtur baras 2:2. As Villareal nuk ka arritur më shumë se një barazim përball Arsenalit në El Madrigal.
Manchester United nuk ka mundur të fitojë para tifozëve të vet në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve në përballje me Porton. Takimi, i zhvilluar të mërkurën mbrëma, ka përfunduar me rezultat të barabartë, 2:2.
Të parët në epërsi me rezultat 0:1 kaluan portugezët kur po zhvillohej minuta e 4-të e ndeshjes, me golin e shënuar nga Cristian Rodríguez, i cili shfrytëzoi një gabim të mbrojtësit Jonathan Evans.
Ndërsa rezultatin në 1:1 e ka barazuar Wayne Rooney, i cili realizoi gol në minutën e 15-të të takimit. Edhe ky gol erdhi si pasojë e gabimit të madh të mbrojtësit të Portos, Bruno Alves. Me këtë rezultat edhe ka përfunduar pjesa e parë e takimit, gjatë të cilit ekipi mysafir e ka rrezikuar disa herë portën angleze me gjuajtje të forta nga distanca.
Kurse në pjesën e dytë, Manchester United filloi të sulmojë më tepër, në përpjekje për ta shënuar edhe golin e avantazhit. Këtë qëllim, djajtë e kuq e arritën në minutën e 85-të takimit, pasi zëvendësuesi Carlos Tevez shënoi gol për rezultatin 2:1.
Kur të gjithë mendonin se ndeshja do të përfundojë me këtë rezultat, në skenë doli zëvendësuesi tjetër Mariano Gonzalez, i cili barazoi në 2:2, në minutën e 89-të.
Edhe ndeshja tjetër çerekfinale ndërmjet Villarrealit dhe Arsenalit ka përfunduar pa fitues, pasi ky takim është përmbyllur me rezultat të barabartë, 1:1.
Pjesa e parë të kësaj ndeshje ka përfunduar me rezultat 1:0 në favor të skuadrës spanjolle, meqë Marcos Senna ka shënuar një gol të bukur për Villarrealin në minutën e 10-të.
Por gol edhe më të bukur realizoi sulmuesi i Arsenalit, Emmanuel Adebayor, i cili goditi topin me ‘gërshërë’ dhe e dërgoi atë në portën e skuadrës nikoqire për rezultatin përfundimtar, 1:1.
Ndeshjet e kthimit që do të zhvillohen javën e ardhshme, do të përcaktojnë se cilat nga këto ekipe do të takohen në gjysmëfinalen e ligës më prestigjioze europiane.



Shtoni komentin tuaj!