Williams mund të braktisë Formula 1
Skuderia britanike preket nga kriza globale ekonomike. Ekleston përpiqet ta shpëtojë
Formula 1 mund të humbasë ish-skuderinë kampione Williams, për shkak të krizës ekonomike. Adam Parr, drejuesi ekzekutiv i kësaj skuderie, që ka fituar nëntë tituj konstruktorësh dhe shtatë pilotësh, ka thënë për gazetën e njohur ekonomike “Financial Times” se mundësia e Williams-it për të marrë borxh ka arritur në limit.
“Mendoj se është e drejtë të themi se kemi arritur në një pikë ku marrja e mëtejshme e borxheve nuk është më e pranueshme për drejtuesit e kësaj kompanie”,- ka thënë ai. Ndërkohë, drejtuesi kryesor i Formula 1, Berni Ekleston, ka thënë për të njëjtën revistë se ai i ka ofruar skuadrës së pavarur më shumë se 15 milionë euro.
Ky bonus, i ardhur nga rritja e të ardhurave nga marketingu midis viteve 2004-2007, është në dispozicion të atyre skuadrave që janë të gatshme të firmosin që tani marrëveshjen e re “Concorde Agreement”. “Eshtë një parapagesë (për Williams-in)”, ka shpjeguar Eklestoni. “Ata kanë të drejtë të kërkojnë një paradhënie vetëm përsa i përket shumës që do të përfitojnë kur të nënshkruajnë marrëveshjen e re.
Ne i njoftuam ata se do t’i paguajmë që tani”,- ka deklaruar Ekleston. Pronari i skuderisë, një nga themeluesit, Sër Frenk Uilliams, ka konfirmuar se skuadra e tij është nën një “presion financiar”. Pra, kriza globale ekonomike ka goditur edhe sportin.
Që nga viti 2006 skuderia britanike nuk ka pasur mbështetjen e një prodhuesi për makinën, dhe makina e re FW31 e prezantuar javën e kaluar në Portugali ka sjellë vetëm interesimin e disa sponsorëve të mundshëm për të ardhmen.



Shtoni komentin tuaj!